mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fëmijët për buxhetimin e fëmijëve në komunën e Ferizajit

02.08.2018

 

Ferizaj, 2 gusht- Pjesë e programit vjetor të grupit të fëmijëve për monitorim- ROR (Respect Our Rights) është edhe pjesëmarrja në ndarjen e buxhetit nëpër komuna dhe paraqitja e kërkesave të fëmijëve. Me këtë rast, përfaqësuesja e grupit ROR Alma Gashi morri pjesë në dëgjimin publik në komunën e saj.

 Kryetari i Ferizajt u shpreh i habitur për pjesëmarrjen nga ky grup, sepse ishte hera e parë në karrierën e tij që në dëgjim publik merrnin pjesë të rinj nën moshën 18 vjet.Pas prezantimit të planit dhe buxhetit nga ana e kryetarit, anëtarja e ROR pati disa kërkesa. Ajo kërkoi që nëpër shkolla publike të mundësohet qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke u bazuar në faktin se asnjë shkollë në Ferizaj deri më tash nuk e ka ofruar këtë mundësi.

 Pastaj, kërkoi që mos të jetë numri i nxënësve nëpër gjimnaze shumë i lartë, sepse efikasiteti i mësimit po ulet, dhe rrjedhimisht kuadrot pas disa vitesh do të jenë më të dobëta. Si alternativë për këtë problem, propozoi të pranohen më shumë nxënës në shkolla profesionale. Kjo nënkupton ndërmarrjen e ndonjë kampanje promovimi për shkollat profesionale.

 Kryetari, Agim Aliu, u përgjigj se zgjidhje për problemin e parë e kanë parë angazhimin e personelit adekuat nëpër shkolla, që do të përfshihet në buxhet. Ndërsa për problematikën e dytë, kryetari u shpreh se tashmë veç se ka bërë ndryshime në numrin e nxënësve në gjimnaze, duke caktuar 28 nxënës për klasë.

 Ndër të tjerash, përmendi edhe ndryshime të tjera që mendon t’i bëjë në arsim, ku edhe u zotua që arsimi dhe fëmijët do të jenë dosido prioritet i kësaj qeverie dhe gjatë ndarjes së buxhetit.

 Mbledhja përfundoi pas shumë propozimeve, dhe duke shpresuar se fëmijët nuk do të jenë të anashkaluar kësaj radhe në buxhetim, çka është një nga angazhimet e Grupit ROR, të krijuar nga Syri i Vizionit me mbështetjen e Save thë children, që prej viteve merret me monitorimin e zbatimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.