mendo globalisht,
vepro lokalisht

Dhuna në familje në rritje, edhe fëmijët të prekur nga ajo

16.07.2020

Pejë, 16 korrik - Sot është mbajtur një takim bashkërendues me institucionet të cilat kanë për mandat mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi. Takimi u bazua në planin e punës që Komuna e Pejës ka për këtë çështje. Temë e tij ishte rritja e rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë, me theks të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve nga kjo dhunë dhe ofrimi i shërbimeve me kohë për ta si dhe familjet e tyre.

Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi dhe angazhimi i institucioneve përgjegjëse gjatë kohës së pandemisë në mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga dhuna, si një dukuri shqetësuese që ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe.

Policia e Kosovës, bazuar në statistikat dhe raportimet e brendshme, tha se dhuna në familje ka shënuar rritje të madhe gjatë pandemisë COVID-19. Referuar raporteve të këtij institucioni të sigurisë, shumica e viktimave të kësaj dukurie janë gra. Ani pse gratë përbëjnë shumicën e viktimave, u theksua se janë shënuar edhe dy raste ku viktima të dhunës në familje janë fëmijët.

Shqetësuese është rritja e dhunës në familje pa marrë parasysh se kush është viktimë. Kjo dukuri ka alarmuar institucionet për të ndërmarrë veprime shtesë për parandalim. Po aq shqetësues është përjetimi i dhunës i cili shkaktohet në shëndetin fizik e psikologjik të fëmijëve. Ani pse nuk kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të dhunës ata përjetojnë apo kanë përjetuar dhunë psikike e emocionale, u konkludua në takim.

Se dhuna në familje është në rritje në komunën e Pejës u vërtetua edhe nga institucionet tjera të cilat merren me trajnimin dhe ofrimin e shërbimeve përkatëse, siç janë Qendra për punë sociale, Qendra për mirëqenien e gruas - Shtëpia e sigurt, Shërbimi sprovues dhe institucionet komunale.

Të gjithë të pranishmit në këtë takim u pajtuan se situata e krijuar gjatë kësaj kohe me pandeminë COVID-19 ka prekur edhe gjendjen ekonomike e sociale të shumë familjeve, e cila po ndikon shumë në rritje e presionit psikik e emocional dhe e tërë kjo po kthehet në dhunë.

Po ashtu është vlerësuar se pavarësisht bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mirë, ekziston nevojë e shtuar që të intensifikohet tutje në zinxhirin ndërinstitucional. U theksua edhe nevoja për takime e komunikim me të shpeshtë të rritet në mes akterëve qeveritarë e joqeveritarë për parandalim e dhunës në familje dhe mbrojtje e fëmijëve nga kjo dukuri.

Takimi u mbajt në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”.