mendo globalisht,
vepro lokalisht

Letër prej Drejtorit

24.12.2020

Letër prej Drejtorit

Për sfidat e vitit 2020 na u desh vizion 2020!

Të dashur miq, kolegë, bashkëpunëtorë, partnerë,donatorë,

Fundi i vitit është një mundësi e mirë për të reflektuar për përparimin që kemi bërë në punën tonë dhe për të parë se si mund t’i arrijmë edhe më plotësisht qëllimet dhe objektivat tona që i kemi vendosur vetes përpara si organizatë. Viti që po ikë na e dëshmoi edhe një herë rëndësinë e punës që “Syri i Vizionit” si organizatë ka dhe domosdonë e ofrimit të ndihmës për qytetarët tanë.

Për shkak të telasheve që pandemia na solli me vete, nganjëherë na dukej se ky vit nuk do të mbaronte kurrë. E panevojshme të them që 2020-ta ishte një vit sfidues për të gjithë, si në rrafshin personal ashtu edhe profesional, prandaj dua ta shfrytëzoj këtë letër t’i falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan ta kalojmë më lehtë.

Jam veçanërisht krenar dhe falënderues për ekipin e organizatës dhe mënyrës se sa shpejt u përshtatën dhe u përballën me situatën e krijuar gjatë këtij viti. Përkundër pandemisë, asnjëherë nuk i lëshuam tërësisht zyrat tona, ani pse dërguam shumicën e anëtarëve në shtëpi, por vazhduam të punojmë së bashku si një ekip. Kjo mënyrë e re e punës na detyroi të rritemi e forcohemi edhe më shumë siorganizatë.

Pandemia çorientuese me të cilën u përballëm gjatë këtij viti na orientoi edhe më tepër në adresimin e nevojave themelore që përfituesit e projekteve të cilët, si përherë, i ngritën ato si çështje të rëndësisë së parë. Kjo qe edhe arsyeja pse, pa lënë anash aktivitet e përhershme e të ndërtuara përgjatë viteve të organizatës, në raste të caktuara na bëri të orientohemi edhe në ofrimin e ndihmave elementare, ushqime e ilaçe, për të cilat qytetarët tonë të komuniteteve të ndryshme patën nevojë. U bë punë e mirë, ani pse duhet të pranojmë kishte shumë sfida dhe pasiguri me të cilat u përballem.

Për sfidat evitit 2020 na u desh vizion 2020. Për vitin në të cilin po bëhemi gati të hyjmë, le të mbesim me shpresë që kjo pandemi e cila e ka pushtuar botën do të merr fund shpejt dhe t’i kthehemi ‘normalitetit’ me vullnet të shtuar e përkushtim për ta bërë këtë vend tonin më të mirë. E dimë që kemi shumë punë për të bërë dhe na duhet vazhdojmë atë së bashku.

 Urime festat e fundvitit dhe Viti i Ri!

 I juaji,

Veton Mujaj

Drejtor Ekzekutiv

OJQ Syri iVizionit